Ndryshime në buxhetin 2025, qeveria shpërndan shpërblime për fundvit, ja kush përfiton
Këshilli i Ministrave ka miratuar Aktin Normativ të fundit të vitit, duke reflektuar ndryshime në buxhetin e vitit 2025 me fokus mbështetjen sociale, bujqësinë dhe financat vendore.
Bonus fundviti për familjet në nevojë
Sipas vendimit, parashikohet dhënia e një bonusi fundviti prej 15 mijë lekësh për familjet që përfitojnë Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar dhe kujdestarët e tyre. Nga kjo masë do të përfitojnë rreth 148,500 qytetarë, me synimin për të lehtësuar përballimin e shpenzimeve gjatë periudhës së fundvitit.
Fonde shtesë për pensionet
Ministria e Financave bën me dije se fondet e pashpenzuara nga ministritë dhe institucionet buxhetore do të transferohen në Fondin e Veçantë të Pensioneve. Vlera minimale e parashikuar për këtë transferim është rreth 150 milionë euro, të destinuara për mbështetjen e Reformës së Pensioneve.
Mbështetje për bujqësinë dhe shëndetësinë
Ndryshimet në buxhet përfshijnë gjithashtu një shtesë prej rreth 2 miliardë lekësh për sektorin e bujqësisë, duke e çuar fondin total për vitin 2025 në 6.4 miliardë lekë. Ndërkohë, sektori i shëndetësisë do të përfitojë rreth 18 milionë euro për furnizimin me barna në spitalet publike.
Ndihmë për pushtetin vendor
Pushteti vendor do të mbështetet me 1.2 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Sipas Ministrisë së Financave, kjo shumë përfaqëson rreth 40% të detyrimeve të akumuluara nga bashkitë dhe synon të përmirësojë situatën financiare të tyre.
Objektivi i masave
Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimet e miratuara përmes Aktit Normativ kanë për qëllim forcimin e stabilitetit ekonomik, rritjen e mbështetjes sociale për shtresat në nevojë dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve publike.